Dje Kosova votoi. Me qetësi, me rregull, me një atmosferë festive dhe një normalitet të jashtëzakonshëm. Përveç votimit në paqe e në siguri, me vullnet të lirë e në mënyrë demokratike, sërishmi rezultatet paraprake u nxorën brenda disa orësh. Asnjë akuzë për manipulimin e votës. Asnjë përpjekje për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor. Asnjë ankesë nuk pati nga partitë politike. Më shumë ndodhën incidente në një komunë të veriut banuar me shumicë serbe, sesa në të gjithë pjesën tjetër të territorit.
Votimet në Kosovë na shfaqën edhe kësaj radhe panoramën e funksionimit të demokracisë. Shteti më i ri i rajonit është bërë vendi model i demokracisë në Ballkanin Perendimor. Nëse e krahasojmë me Shqipërinë, atëherë diferenca në ushtrimin e demokracisë thellohet ndjeshëm.
Së pari, në Kosovë nuk ka debate dhe kontestime për ligjin zgjedhor. Në përgjithësi ishte opozita ajo që ka propozuar këtë ligj dhe mazhoranca thjesht e ka votuar. Ndërsa në Shqipëri edhe pasi u bë ligji zgjedhor në qershor 2021, kryeministri i vendit e ndryshoi me forcën e kartonit vetëm pak ditë pas konsensusit të arritur. Në Shqipëri kodi zgjedhor i është imponuar opozitës nga ana e mazhorancës. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në Kosovën demokratike. Ndodh në narco-shtetin e Shqipërisë.
Së dyti, fushata zgjedhore në Kosovë i përmbahet një tradite që respektohet nga qytetarët e saj. Fjalori politik është në përgjithësi i matur dhe nuk ka agresivitet të tepruar. Edhe kur ndodhin kapërcime të masës, subjektet politike ndëshkohen me gjobë. Megjithatë nuk është gjoba ajo që i disiplinon politikanët e Kosovës. Eshtë tradita dhe kultura politike e qytetarëve. Qytetarët e Kosovës e ndëshkojnë atë politikan ose subjekt politik që nuk respekton traditën dhe kulturën politike të komunikimit midis palëve.
Ndërsa në Shqipëri nuk ndodh kjo. Sidomos pas vitit 2013 është bastarduar gjuha e komunikimit. Nuk është fjala për akuzat që palët i bëjnë njëra-tjetrës. Fjala është për fjalorin fyes e të turpshëm që përdoret. Shqipëria edhe pse tre muaj para zgjedhjeve parlamentare ka nisur që sot të zbulojë vokabolarin e saj banal e turpërues në atakimet e politikës dhe të politikanëve. Në Shqipëri bëhet fushatë elektorale me sharje e fyerje ekstreme.
Së treti, për pasojë të fjalorit të turpshëm, në Shqipëri mazhoranca e Rilindjes në disa fushata elektorale nuk paraqet program politik. Ende flet për premtimet e parealizuara të pranverës së para 12 viteve e madje kryeministri i vendit akoma fajëson paraardhësin e tij për dështimet e veta. Partitë politike në Shqipëri, sidmos mazhoranca, nuk kanë ofertë politike siç ndodhë në Kosovë. Kanë thjesht ofertën e fyerjeve, sharjeve dhe shpifjeve. Kjo ndodh, sepse palët politike janë larg njësimit të qëndrimeve edhe për çeshtjet themelore të shtetit e të kombit. Kjo ndodh, sepse oferta e qeverisjes në Shqipëri është narco-shteti, krimi i organizuar dhe veprimtaria mafioze. Aty ku vidhen, blihen e shiten votat, aty nuk ka nevojë për programe dhe alternativa politike.
Së katërti, në Kosovë nuk ndodh që subjektet politike të fusin në listat e deputetëve figura të inkriminuara dhe të implikuara në raste të tilla. Kosova ka kritere dhe rregulla strikte për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Ndërsa në Shqipëri numri i deputetëve të zgjedhur e të dëshmuar si të dënuar për krime dhe vepra penale të rënda rezulton shumë i madh, së paku nja dy dyzina prej tyre. Kjo do të thotë se Shqipërinë e drejton mafia dhe krimi i organizuar. Ndërsa Kosovën e drejton shteti i organizuar. Megjithatë në këtë pikë ka nevojë të bëhet kujdes, sepse subjekte politike të caktuara e në lidhje të ngushtë me Rilindjen e Shqipërisë kanë marrë modelin e shit-blerjes së votës.
Së pesti, në Kosovë votohet më ssë shumti për frymën patriotike dhe me idealizëm. Në Shqipëri shumica beson se vota duhet të adresohet për interesa të ngushta materiale e financiare të zgjedhësit dhe votuesit. Prandaj dhe në Shqipëri fenomeni i shit-blerjes së votës është i përhapur. Prandaj në Shqipëri presionet për të imponuar votën janë të hapura. Nuk ndodh në Shqipëri, si në Kosovë, që të ndëshkohet dikush që i bën presion zgjedhësit për të tjetërsuar vullnetin e tij.
Kosova e dha kësaj radhesërishmi testin e demokracisë dhe lirisë së saj në zgjedhje. Si të jenë zgjedhjet, ashtu do të jetë edhe qeverisja. Një qeverisje e blerë, do të riblejë vota dhe të mbahet në pushtet pa meritë. Një qeverisje e ardhur në pushtet me vullnetin e lirë të qytetarit, do ta respektojë këtë vullnet. Një qeverisja e blerë e largon qytetarin nga pjesmarrja në këtë qeverisje. Qeverisja me votën e lirë kthen besimin e qytetarëve te shteti.