Pacientët e infektuar me koronavirus përballen me rrezikun më të madh për të pësuar sulm në tru, sesa personat e së njëjtës moshë që nuk janë prekur nga virusi, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19, ka treguar të premten një studim i madh ndërkombëtar.
Në shumë raste, pacientët nuk i kanë shfaqur simptomat tipike të COVID-19 dhe nuk kanë pasur as ndonjë sëmundje të njohur paraekzistuese.
Këto gjetje bazohen në kërkimet e kryera nëpër 132 qendra mjekësore në 36 vende të botës dhe të publikuar në revistën shkencore “Stroke”, ndërkaq në të kanë kontribuar 89 autorë nga e gjithë bota, përfshirë Libanin dhe Iranin.
Studiuesit i kanë shqyrtuar të dhënat nga pacientët, të cilët janë identifikuar si bartës të virusit, pasi të ishin hospitalizuar si pasojë e sulmit apo komplikimeve të tjera serioze në tru.
Shtatëdhjetenjë qendra mjekësore në 17 vende të ndryshme në botë kanë raportuar për të paktën nga një pacient, gjendja klinike e të cilit ka përmbushur kriterin për studim, në kuadër të të cilit janë hulumtuar 432 subjekte.
“Befasisht, shumë pacientë të cilët ne i kemi identifikuar edhe si bartës të virusit korona, por edhe si të prekur nga sulmi në tru nuk kanë shfaqur simptoma tipike klinike të koronavirusit”, ka thënë profesori i Universitetit hebraik, Ronen Leker, i cili ka marrë pjesë në studim. “Rreth 40 për qind e tyre nuk kanë pasur ethe, nuk janë ballafaquar me vështirësi në frymëmarrje, me dhembje në abdomen, diarre dhe kështu me radhë. Por meqenëse të gjithë pacientët që janë pranuar në spital ishin testuar, ne ishim në gjendje që të identifikonim se cilët ishin bartës të virusit”.
Të dhënat kanë treguar se pacientët e infektuar me koronavirus nën moshën 55-vjeçare kishin më shumë gjasa që të pësojnë sulm në tru, ndërlidhur me okluzionin apo bllokimin e madh të enëve të gjakut.
Lekeri ka thënë se gjetjet kanë treguar se sulmet në tru, sipas të gjitha gjasave, janë të shkaktuara apo të ndikuara nga virusi.
“Shumë pacientë, sidomos ata më të rinjtë në moshë, nuk kanë shfaqur ndonjë faktor tradicional rreziku për të pësuar sulm në tru, siç janë shtypja e lartë e gjakut, niveli i lartë i kolesterolit, diabeti, problemet me zemrën dhe kështu me radhë”, ka thënë ai. “Faktikisht, individët më të rinj se 55 vjeç nuk kanë pasur faktorë të tjerë rreziku përveç COVID-19”.
Lekeri ka shtuar se ekzistojnë ndërlidhje të shumta të mundshme midis virusit dhe problemeve në tru.
“Truri është njëri prej atyre organeve që koronavirusi i sulmon, bashkë me enët e gjakut në tru”, ka theksuar ai. “Besojmë se sëmundja mund të shpjerë në trombozë lokale. Përveç kësaj, COVID-i ndikon edhe në zemër – mund të shkaktojë të rrahura të çrregullta të zemrës – të cilat mund mandej të nxisin mpiksje në këtë organ, të mërgojnë në tru dhe të prodhojnë sulm”.
Ai ka shtuar se fenomene të tilla dhe gjetjet e studimit nuk kanë fare të bëjnë me vaksinat e zhvilluara kundër koronavirusit.
“Nëse asgjë tjetër, vaksinat mund t’i reduktojnë këto rreziqe dhe, për më tepër, ky studim është ndërmarrë bukur para se vaksinat të ishin fare të qasshme”, ka specifikuar Lekeri.
Derisa studimi ka treguar se sulmet në tru përkojnë me një komplikim të mundshëm të COVID-19, ai ka shtuar se rastet e tilla janë megjithatë të rralla.
Lekeri është shprehur optimist se studimet e mëtutjeshme për çështjen do t’i hedhin më shumë dritë ndërlidhjes midis koronavirusit dhe sulmit në tru, nëpërmjet të cilave do të mund të garantohej trajtim më i mirë dhe adekuat mjekësor.