Pastrimi i dhëmbëve, ky është rendi i duhur

Shëndetësia

Pastrimi i dhëmbëve, ky është rendi i duhur

Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 21:32
Ilustrim

I keni pastruar gjithmonë dhëmbët, por a jeni të sigurt se e keni bërë në mënyrë të duhur? Kjo ka qenë pyetja që CNN-i i ka dhënë përgjigje nëpërmjet ekspertëve.

“Katër elementët kryesorë janë baza e higjienës së mirë orale: pastrimi i dhëmbëve dy herë në ditë me pastë dhëmbësh që përmban fluor, përdorimi i fijeve dentare një herë në ditë, ngrënia e ushqimeve të shëndetshme dhe vizitat e rregullta te dentisti”, ka thënë doktori Matthew Messina, profesor në Ohio State University College of Dentistry dhe zëdhënës i Shoqatës Amerikane të Dentistëve.

Ai ka thënë se personat që i praktikojnë këto katër gjëra, janë duke vepruar drejt.

Doktoresha Michaela Gibbs, profesoreshë në Shkollën e Mjekësisë Dentare të Universitetit të Kolorados, ka thënë se shëndeti dentar është i rëndësishëm për shumë arsye. Jo vetëm për dhëmbët e bardhë, por edhe për të parandaluar sëmundjet e mishrave të dhëmbëve dhe sëmundjen e paradentozës, të cilat mund të lidhen me ndikime në pjesë të tjera të trupit.

Ekspertët thonë se ndryshime të vogla në shëndetin e njeriut mund të bëjnë një ndryshim të madh në shëndetin oral.

Rendi i duhur për dhëmbë të pastër

Messina ka thënë se kur bëhet fjalë për pastrimin e dhëmbëve, përdorimin e fijeve dentare dhe shpëlarjen e gojës, qëllimi është të kontrollohen bakteret në dhëmbë.

“Ne duhet t’i ngacmojmë ato dhe t’i largojmë, dhe gjithashtu të reduktojmë ushqimin që ato konsumojnë”, ka shtuar ai.

Sipas doktorit, bakteret në dhëmbë djegin sheqernat dhe prodhojnë acid, i cili shpërbën smaltin e dhëmbëve. Smalti i dobësuar përfundimisht shkakton karies, por zvogëlimi i kohës në të cilën bakteret kanë qasje në sheqernat që ndodhen në dhëmbë dhe përdorimi i produkteve me fluor, mund të ndihmojnë në parandalimin e këtij dëmtimi.

“Kur mendoni për radhitjen e veprimeve, ka kuptim” ka thënë Gibbs.

Ajo ka këshilluar që të fillohet me përdorimin e fijeve dentare për të hequr mbetjet e ushqimit ndërmjet dhëmbëve, që mund të largohen më pas kur të pastrohen dhëmbët me brushë, gjë që mund të arrihet më mirë gjatë pastrimit të plotë.

“Një numër i vogël studimesh shkencore ka ekzistuar, por ky është rendi i pranuar nga profesionistët për praktikën e kujdesit ndaj dhëmbëve”, ka thënë Gibbs.

Doktori Rocio B. Quinonez, dekan në Universitetin e Karolinës së Veriut në Shkollën e Mjekësisë Dentare të Chapel Hill, ka thënë se peri dentar është shumë i nevojshëm.

“Penjtë dentar përshkojnë rreth 40% të sipërfaqeve të dhëmbëve, ndërsa pastrimi me brushë i dhëmbëve merret me 60% të pjesës së mbetur”, ka thënë ajo.

A duhet shpëlarë me ujë pasta e dhëmbëve?

Gibbs ka thënë se shumë njerëz pas pastrimit me pastë e shpëlajnë gojën me ujë, gjë që nuk e rekomandon.

“Shpëlarja është më mirë të anashkalohet”, ka thënë doktoresha.

Në vend të kësaj, Quinonez, rekomandon që pas larjes me brushë, vetëm të pështyhet, duke lënë pastën e dhëmbëve të pashpërlarë me ujë, në mënyrë që të kryejë funksionin.

“Çelësi është që të ruani sa më shumë fluor nga pasta e dhëmbëve në dhëmbët tuaj pas pastrimit (sa më shumë). Pas pastrimit të dhëmbëve me pastë dhëmbësh që përmban fluor, nuk duhet të shpëlani gojën me ujë, sepse e gjithë dobia e fluorit realizohet vetëm nëse ai qëndron në dhëmbë deri në 30 minuta pas pastrimit”, ka shpjeguar Gibbs.

Ajo ka shtuar se pastrimi dhe shpëlarja me ujë menjëherë pas përdorimit të pastës me fluor mund t’i anulojë përfitimet.

“Sa më gjatë që fluori të qëndrojë në dhëmbë, aq më i madh është efekti. Nuk është rastësi që ju rekomandova të pastroni dhëmbët pas mëngjesit dhe para gjumit, sepse ato janë momentet që kemi kohën më të madhe përpara se të hamë diçka tjetër që mund të dëmtojë fluorin që është në dhëmbë”, ka shtuar Messina.

Nëse dikush do të pijë ujë ose të përdorë shpëlarës goje pa fluor, Gibbs rekomandon që të mos e bëjë menjëherë pas pastrimit në mënyrë që fluori të mund të depërtojë në sipërfaqen e dhëmbëve.
“Megjithëse duhet evituar shpëlarësit me alkool, shpëlarësit me fluor si pjesë e fundit e rutinës mund të ndihmojnë në forcimin e dhëmbëve”, ka thënë Quinonez.

Rutina është çelësi

Sipas Messinas më e rëndësishme se rendi i duhur, megjithatë, është qëndrueshmëria në pastrimin dhe përdorimin e fijeve dentare.

“Është thjesht mënyra që ju do ta bëni efektivisht çdo ditë. Nëse ka diçka që mungon … provoni një mënyrë dhe ndoshta provoni një tjetër dhe shihni cilën preferoni më shumë”, ka thënë tutje ai.

Gibbs ka thënë se një furçë dhëmbësh elektrike shpesh rekomandohet, edhe pse një furçë manuale mund të funksionojë gjithashtu, sidomos nëse kostoja është një shqetësim. Dhe megjithëse përdorimi i penjve dentar është standardi i artë.

Një mjet ndoshta i papritur në luftën për higjienën më të mirë orale është pirja e ujit, sipas Quinonez.
Uji i zakonshëm, jo uji me shije apo me gaz.

“Jo vetëm që pirja e ujit ndihmon për të shpëlarë mbetjet, por gjithashtu rikthen ekuilibrin normal të pH në gojë që mund të dëmtohet nga ngrënia dhe pirja”, ka thënë Gibbs.

Një pH më i ulët në gojë, edhe nga ushqime të tjera të shëndetshme si frutat dhe perimet, mund të shkaktojë një mjedis më acidik që mund t’i bëjë dhëmbët më të ndjeshëm ndaj kariesit.

“Nëse të pastroni dhëmbë dy herë në ditë, përdorni fije dentare një herë në ditë, konsumoni ushqime të shëndetshme dhe vizitoni dentistin tuaj rregullisht, rangoheni lart kur bëhet fjalë për kujdes të mirë oral dhe kjo është plotësisht në dorën tuaj”, ka thënë Messina.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat