Shqipëria pret me sukses një tjetër event madhor

Sporti

Shqipëria pret me sukses një tjetër event madhor

Më: 15 mars 2025 Në ora: 22:22
Foto ilustrim

Vetëm pak ditë pas organizimit të turneut ndërkombëtar “Muhamet Malo”, Federata Shqiptare e Mundjes ka mbyllur me sukses një tjetër eveniment madhor ndërkombëtar.

Mbrëmjen e djeshme ka ulur siparin Kampionati Europian U-23, aktivitet i mbajtur më datat 8-14 mars në Tiranë.

423 mundës, nga më premtuesit e kontinentit, që përfaqësonin 33 shtete, matën forcat në sallën “Feti Borova” pranë Parkut Olimpik, duke dhuruar duele me shumë emocione. U konkurrua në të gjitha peshat, në stilin e lirë, në atë greko-roman, si dhe në kategorinë e femrave.

Në rang ekipor, stili i lirë u dominua nga Azerbajxhani, ndërsa Turqia në vend të dytë, si dhe Ukraina në vend të tretë, kompletuan podiumin. Në stilin greko-roman ishte Gjeorgjia shteti më i suksesshëm në renditjen ekipore, ndjekur nga Ukraina në vend të dytë dhe Turqia e treta. Duke kaluar në kategorinë e femrave, dominuese e Europianit U-23 ishte përfaqësuesja e Turqisë.

Vendi i dytë i takoi Ukrainës, ndërsa medalja e bronzit shkoi për Poloninë. Kështu, Shqipëria priti me sukses një tjetër eveniment prestigjioz dhe është shndërruar gjatë viteve të fundit në shtëpinë e mundjes ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat