Partizani i volejbollit të femrave po zhvillon një sezon shumë të mirë.
Pasi e nisën me këmbë të mbarë duke fituar Kupën e FSHV-së, të kuqet e mbyllën fazën e parë të kampionatit me pikë të plota me 7 fitore në po kaq ndeshje të zhvilluara, ndërsa kanë siguruar edhe kalimin për në fazën finale në Kupën e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Ligën Mbarëkombëtare Gjergj Kastrioti.
Ndonëse me një ekip të plotë dhe konkurrues, Partizani nuk është ndalur këtu, pasi po tregohet mjaft aktiv edhe në merkaton e dimrit. “Panorama Sport” mëson se të kuqet kanë mbyllur marrëveshjen me dy volejbolliste të huaja, të cilat janë zyrtarisht pjesë e Partizanit për gjysmën e dytë të sezonit.
E para është amerikania Jada Burse, lojtare që aktivizohen në pozicionet katër dhe pesë. 25-vjeçarja gjatë sezonit të kaluar është aktivizuar në Brazil për skuadrën Fluminense, ndërsa në të shkuarën ka pasur eksperienca në Kuvajt dhe SHBA.
Ndërkohë goditja e dytë është kubania Reglia Flavia Martinez Ortiz. 23-vjeçarja vjen nga eksperienca në Japoni dhe pritet të jetë një tjetër element i rëndësishëm për Partizanin.