Tragjike/ Vetëvritet i burgosuri shqiptar në Itali

Diaspora

Tragjike/ Vetëvritet i burgosuri shqiptar në Itali

Më: 18 shtator 2022 Në ora: 11:53
Foto ilustrim

Një tjetër shqiptar ka vrarë veten në burgjet e Italisë. 

28-vjeçari ndodhej në burgun e Forli e sipas Garantit rajonal për sistemin e burgjeve Roberto Cavaleri, i riu shqiptar ishte sjellë në këtë institucion dënimi në mbrëmjen e 16 shtatorit, me dënimin përfundimtar 2 vite burg. Ai u gjet i vetëvarur në qeli natën duke u gdhirë data 17 shtator.

Është kjo vetëvrasja e 62 e të burgosurve në burgjet italiane dhe vetëvrasja e 7 e regjistruar në rajonin e Emilia Romagna ku ndodhi dhe ngjarja e fundit.

Pak javë më parë ishte shqiptarja Donatella Hodo, 27 vjeç, e cila u vetëvrarë me një furnelë gazi në burgun Montorio në provincën e Veronës.Fenomeni i vetëvrasjes së të burgosurve në Itali, është një alarm për vitin 2022.

Vetëm në 8 muaj e këtij viti janë regjistruar 62 vetëvrasje e një vit më parë, pra gjatë gjithë harkut të 12 muajve numri i tyre ishte 57.

"Kurrë më parë nuk ka pasur  kaq shumë vetëvrasje të burgosurish në Itali", sinjalizon organizata Antigone e cila ka hartuar një dosjes të dhënash mbi këtë fenomen e që sinjalizon një vetëvrasje çdo 3-4 ditë, Mosha mesatare e të burgosurve që vetëvriten është 37 vjeç e 30 prej tyre, pra gati gjysma, janë me kombësi të huaj, mes të cilëve shqiptarë.

Ndër 5 viktima femra të vetëvrarë në burgjet italiane, një prej tyre është shqiptarja 27-vjeçare Doantella Hodo.

Dosjeri i realizuar nga organizata Antigone dokumenton se fenomeni i vetëvrasjes tek të burgosurit e huaj në burgjet italiane është në një përqindje më të lartë se tek të burgosurit italianë e mosha e tyre është mjaft e re.

Mbi popullimi i burgjeve, mungesa e personelit për të kontrolluar e vëzhguar siç duhet çdo ambient konsiderohen disa nga shkaqet ndërmjetëse që nuk po limitojnë këtë fenomen, e që u shtohet dhe mangësitë në sistemin e kujdesit psiko social. Mosha mjaft e re e të burgosurve të vetëvrarë është një alarm më shumë  e disa prej viktimave vuanin nga shqetësime psiko nervore, apo kishin varësi lëndësh narkotike e alkooli. 

Sipas të dhënave të përditësuara deri më 31 gusht 2022 nga Ministria Italiane e Drejtësisë, janë 1880 të burgosur shqiptarë, 27 prej të cilëve femra që vuajnë dënimin në Itali e baraz me 10.6% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve të huaj.

E shqiptarët e burgosur në Itali janë më të shumtit në numër pas të burgosurve marokenë e rumunë.

Rjaonet Lombardia, Emilia Romagna, Toscana, Piemonte, Liguria kanë numrin më të lartë të të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin nga drejtësia italiane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat