Truall i Drenicës-
Çerdhe shqipesh thurur me plumba, me bomba, me varre...
Me rrënjë ilirike, me ngjyra dardane e zemër bujare
Rrënjët e lirisë i kërkove,
i gjete thellë trupit tënd
Në rrugë e sipër drejt fitoresh kundër mynxyrës e plojës
Me betim të Adem Jasharit,
të SANDOKANIT e të Antigonës
Gatuar në zemrën e popullit,
në eshtarat e trollit
E në sytë e fëmijëve
të burrëruar në zjarr të betejave
Edhe pse lodrat fare s'i provuan
por nga djepi zgjatën duart
Tek armët dhe te flamuri kuq e zi
e në përqafim të çlirimtarëve
Armiku shekullor në shtatin tënd, Drenicë shqiptare
Derdhi hekur e zjarr nga qielli e nga toka
Por ti rrufetë i prite me gjoksin tënd të çeliktë shqiptarisht
Barbarët u shfrynë në ty,
ku jeta vritej në gur
Në pragjet e shtëpive, në mal dhe në kullë
E helmi i barbarit shplahej me gjak të heronjve
Lulëkuqet e kësaj toke i çelën petalet nga besa e dhënë
Flamuri u skuq nga gjaku i tyre që rrodhi si gurrë
Andaj ti, Drenicë u ngrite mes flakësh
e paepur për gjuhë e flamur....
Ti je dashuria ime, që nuk zbehet kurrë!....