Tri aktet juridike të diskriminimit kulturor (II)

Opinione

Tri aktet juridike të diskriminimit kulturor (II)

Nga: Avni Halimi Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 19:53
Avni Halimi

Edhe përkundër ndërhyrjeve fasadë në tekstin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ky akt më i lartë juridik edhe më tej mbetet burim i krizës ndëretnike. Kushtetuta aktuale në mënyrë të qartë pasqyron anën johumane të shoqërisë maqedonase në raport me komunitetet e tjera, në veçanti me popullin shqiptar të vendit. Kushtetuta përcakton, rregullon dhe garanton sistemin shoqëror-juridik të një shteti. Kushtetuta garanton liritë dhe të drejtat e qytetarit. Në raport me kulturën, kushtetuta është kështjella e kodit etnik të një populli. Po cili është raporti i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut ndaj kulturës shqiptare në këtë shtet?

Kushtetuta e RMV-së

Kushtetuta aktuale, kulturën, thesarin kulturor, qoftë si trashëgimi shpirtërore qoftë si trashëgimi materiale, e parasheh, fatkeqësisht, si kulturë të shtetëzuar. Dhe, meqë shteti është maqedonas vetëvëvetiu nënkuptohet se çdo gjë e shtetëzuar i përket maqedonasëve: ushtria maqedonase, policia maqedonase, shëndetësia maqedonase, arsimi maqedonas, kultura maqedonase etj. Pra, kemi edhe “trashëgimia kulturore maqedonase”, problem ky që në perpsketivë do të gjenerojë probleme me pasoja të paparashikueshme.

Shtetëzimi i segmenteve jetike për një shoqëri nënkupton përfshirjen e të gjithëvë, angazhimin e tërë shtetit për ruajtjen, kultivimin dhe jetësimin e atij shtetëzimi. Së këndejmi, në nënin 47 të Kushtetutës thuhet “Republika nxit, ndihmon dhe mbron zhvillimin e shkencës, artit dhe kulturës”. Pra, meqë dihet se kujt i përket republika, vetënënkuptohet se për cilën kulturë angazhohet kjo republikë. Këtë e vërteton edhe neni 49 i Kushtetutës i cili shprehimisht thotë: “Republika kujdeset për pozitën dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje dhe për mërgimtarët nga Maqedonia, e ndihmon zhvillimin e tyre kulturor dhe i përparon lidhjet me ta.” Me këto dy nene kushtetuese, fare qartë del në pah diskrinimi institucional që i bëhet shqiptarëve në rrafshin kulturor si dhe pajtimi vullnetar i shqiptarëve me këtë pozitë përçmuese. Përderisa kjo pozitë nuk do të ndryshojë, asnjë nga subjektet politike shqiptare, por edhe shoqëria civile, nuk e kanë të drejtën që të flasin për kombëtarizmin e në emër të kombëtarizmit. Prefiksat apo sufiksat që kanë kuptimin e kombëtares, madje edhe të internacionales, i mbajnë vetëm sa për ta manipuluar shoqërinë shqiptare dhe për ta përdorur si trampolinë për arritjen e interesave meskine partiake, klanore, individuale etj.

Kultura është shtyllë e kombit, arsimimi është drita e kombit! Ky konceptim i këtillë ka skalitur në memorien e kombit një Hasan Prishtinë, një Gjergj Fishtë, një Fan Nol e një Faik Konicë, kontributi i të cilëve mbetet i paarritshëm për shumë subjkete politike kombëtare, madje edhe për institucionet përkatëse të shteteve tona.

Përderisa Kushtetuta e obligon Republikën (Maqedoninë) që të përkujdeset për pozitën dhe të drejtat (madje edhe në sferën e kulturës) e popullit maqedon në shtetet fqinje dhe në mërgim, po kjo Kushtetutë, në nenin 48, në mënyrë skajshmërisht perfide thotë: “Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore, artistike, arsimore, si dhe shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre.” Pra, shteti i Maqedonisë, gjegjësisht, populli i saj (maqedonasit) nuk kanë kurrfarë obligimi dhe kurrfarë detyrimi ndaj pjesëtarëve të komuniteteve të tjera përveçse t’u garantojë të drejtën për themelimin e institucioneve kulturore. Ndërsa pjesëtarët e komuniteteve, pra edhe shqiptarët, kanë obligime dhe detyrime ndaj shtetit ngjashëm siç kanë maqedonasit.

Kjo “e drejtë kushtetuese” është një mjegullnajë politike, e cila para ndërkombëtarëve mund të shpërfaqet si tis shumë i hollë, ndërsa para shqiptarëve të vendit si një murë i patejkalueshëm. Shqiptarët le të themelojnë sa të duan institucione, shoqata e ansamble, grupe muzikore e teatrale dhe, le të angazhohen lirisht për buxhet për funksionimin e tyre të përditshëm, periodik apo vjetor. Por, të gjitha përpjekjet shqiptare për ngritje të kapaciteteve dhe institucioneve nacionale kulturore do të jenë të kota dhe të parealizueshme, sepse edhe për të tilla gjëra është përkujdesur Kushtetuta! Në nenin 69 thotë: “Për ligjet të cilat drejtëpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin,dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve, Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me ç’rast duhet të ketë shumicën e votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.” Ligjet për themelimin e institucioneve i përgatisin ministritë përkatëse! Ato ligje fillimisht duhet të kalojnë në qeveri, pastaj të njëjtat dërgohen për miratim në kuvend. Dhe këtu, për shkak të raporteve politike të ngritura me dekada, has sharra në gozhdë. Kuvendi me majorizim hedh poshtë çdo iniciative eventuale të ngritur për themelim të ndonjë institucioni nacional kulturor, ndërsa subjektet politike shqiptare nuk ngrisin asnjë iniciativë nëse paraprakisht shohin se partia nuk ka ndonjë interes të veçantë. Për këto vite të pluralizmit politik nuk është vërejtur që për nevoja të kombit të kenë vënë në siklet koalicionin qeveritar. Me përjashtim të viteve 2006-2008, kur PDSH-ja ishte në pushtet dhe kur arriti që për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë të themelojë disa institucione nacionale kulturo-arsimore. Ky trend kombëtar u ndërpre me rënien e qeverisë së këtyre viteve pas “Marrëveshjes së Majit” të arritur në mënyrë përfide në mes të Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për një qeversije të re në mes të VMRO-BDI-së, mandat ky që nuk do të hapte asnjë çështje kombëtare, në interes të zhvillimit ekonomik të vendit. Shqiptarët qeveritarë nuk guxuan të flasin as atëherë kur u inskenua “Monstra”, as kur u burgos “terroristja”, nëna shqiptare 69 vjeçare, as kur u inskenua “Lagj e Trimave”, sepse, kishte moratorium mbi “çështjet kombëtare”! A mos vallë skenari ekzistonte ndaj dhe duhej miratimi i palës shqiptare përmes “moratoriumit mbi çështjet shqiptare”!

Për dallim prej “tërmeteve politike”, të ndodhura gjithandej nëpër botë, përpjekjet, angazhimet, përplasjet, qoftë edhe agresive, iniciativat për avansim dhe institucionalizim të jetës kulturore gjithmonë kanë hasur në përkrahje masive ndërkombëtare, madje gjithmonë janë vlerësuar si “revolucione kulturore”! Angazhimet dhe përpjekjet e tilla kanë ngacmuar lëvizje të reja kulturore, kanë vënë vulën kulturore të kohës, ndërsa nxitësit dhe përkrahësit çdo herë mbajnë “etiketën” e avangardës kulturore kombëtare. Po kështu ka ndodhur edhe në sferën e arsimimit! Për shembull, lëvizja shqiptare për arsimim superior më në krye Profesor Fadil Sulejmanin, rektorin e parë të USHT-së, përkundër represioneve deri në vdekje, megjithatë rezultoi me përkrahjen ndërkombëtare në themelimin e dy universiteteve për shqiptarët e vendit: Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti shtetëror i Tetovës! Ndërsa fatkeqësisht, me konfliktin e armatosur të vititi 2001 nuk u themelua asnjë institucion kulturor e arsimor shqiptar në vend. U arrit vetëm “Marrëveshja e Ohrit” përmes së cilës u sigurua “vesika” për punësimin proporcional të shqiptarëve në administratën shtetërore si dhe u arrit përkufizimi i diskriminimit institucional për shqiptarët e Maqedonisë të cilët mund të ndjehen shqiptarë vetëm nëpër ato njësi vendore ku e arrijnë 20 përqindëshin e numrin të përgjithshëm të popullsisë lokale. Gjuha, kultura, simbolet kombëtare varen nga vullneti i shumicës në Parlament që sot për sot quhet “vullneti popullor maqedonas”.

Dhe, ky vullnet i ashpër maqedonas u zbut dhe doli për një çast nga shinat e veta nacionaliste vetëm në momentin kur në sfondin politik do të nisë loja me identitetin kulturor e kombëtar maqedonas. Pas konfliktit të 2001-shit maqedonasit ndjeheshin inferiorë si para syvë të qytetarëve të vendit ashtu edhe para syvë të ndërkombëtarëve. U duhej një lëvizje për ta rikthyer dhe ushtruar superioritetin e vet kombëtar ndonëse në mënyrë tepër naive, qesharake dhe me konturat e një shovinizmi karikaturë. Angazhimet dhe aktivitetet për një identitet të ri kulturor të bazuar në barok si dhe angazhimet dhe aktivitetet për një identitet të ri kombëtar të bazuar në antikë do të jenë prioritet nacional i përfaqësuesve politikë të shumicës së maqedonasëve. Pakica do të këmbëngulë me kryeneqësi në përkatësinë sllavomaqedonase. Tmerrësisht do të nisë polarizimi i shoqërisë maqedonase, ndërsa ithtarët e antikitetit, për ta gëzuar përkrahjen e “popullit problematik” shqiptar, për herë të parë në historinë e këtij shteti pranuan të themelojnë institucione nacionale shqiptare. Më vitin 2006-2008 u themelua Instituti për trashëgimi shpirtërore dhe kulturore i shqiptarëve të Maqedonisë, Teatri i Tetovës, Galeria e arteve në Tetovë, Qendra për konzervim në Gostivar si dhe u ngrit iniciativa për themelimin e Muzeut të Alfabetit Shqip në Manastir, i cili fillimisht duhej të pastrohej nga disa veprimtari tregëtare që kryheshin në hapësirat e uzurpuara në këtë objekt historik për kulturën shqiptare. Pas këtyre viteve, kur nisi kulturalizimi antik faqe grekëve dhe barokëzimi qesharak faqe perëndimorëve, do të nis edhe diskriminimi dhe përçmimi zyrtar kulturor kundër shqiptarëve. Shteti, për të gjitha institucionet kulturore shqiptare do të ndajë buxhet po aq sa do të ndajë për një shfaqje teatrale me rastin e përurimit të Teatrit të vjetër maqedonas të rindërtuar. Me këtë rast, mediat shqiptare të vendit, në mënyrë të turpshme nënvizuan se shpenzimet vetëm për një toalet të këtij Teatri paskan qenë sa buxheti vjetor që shpenzohet për tërë kulturën shqiptare në Maqedoni! Ky turp, natyrisht duhet të bijë ekskluzivisht mbi subjektet politike shqiptare të cilët, në mes tyre dhe elitës kombëtare si dhe, përgjithësisht, jetë kulturore shqiptare, kanë hapur një hendek përjetësisht të pakalueshëm. Një forcë politike larg elitës kombëtare dhe larg identitetit kulturor Zoti e di se kujt mund t’i shërbejë.

Kushtetutat e të gjitha shteteve në botë janë garancë e mirëqenies, paqes dhe zhvillimit të shoqërive respektive. Shtetet që kanë jetuar përmes kushtetutave diskriminuese e totalitariste kanë pasur fundin tragjik. Kushtetutat marrin “përjetësinë biblike” (kushtetuta amerikane etj.) vetëm kur garantojnë arritjen e harmonisë së përsosur në mes të institucioneve shtetërore dhe komuniteteve shtetërore. Çfarë do të humbiste Kushtetuta e Maqedonisë sikur të përmbante një nen të miksuar nga neni 47 dhe 49 e që do ta kishte përafërsisht një përmbajtje të këtillë: “Republika nxit, ndihmon dhe përkujdeset për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë krahas identitetit kulturor maqedonas”! Asgjë nuk do të humbiste! Do ta fitonte respektin e madh të një komuniteti të gjërë dhe simpatinë e mbarë botës. Me këtë mentalitet aktual të pushtetit maqedonas vështirë se do të arrihet një gjë e këtillë. Fatkeqësisht, pushteti aktual më të lehtë e ka diskriminimin se sa avansimin, me të konceptueshme e ka shkatërrimin shtetëror se sa avansimin e shqiptarëve. Ky është ndërtimi mental dhe karakteri i këtij pushteti! Po cili është karakteri dhe ndërtimi mental i faktorit politik shqiptar! Këtë më së miri e pasqyron Kushtetuta aktuale e Maqedonisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat