Je se çfarë je, i hequr apo jo nga puna, je demokrat i Lulit apo i Saliut, je i Shehut, Dukës, Metës, apo kungujve të tjerë, ama je opozitar, bashkohu. Nuk ka më kohë sikur një minutë për t'i nxjerrë sytë njëri-tjetrit, makineria e fjalës duhet t'i pfroj shqiptarëve (atyre që kanë mbetur në vend) fakte se si mund të shmanget mbyllja e shkollave, se si të rritet pjesëmarrja në zgjedhje, fuqia e votës dhe zbehja e pushtetit të njëshit. Se si mund të shpërbëhet fuqia e krimit, politika sociale efikase se kemi kapur fundin, po vret djali babëb dhe anasjelltas. Po vret djali a vajza nënën dhe anasjelltas.
Pra, o ul kokën e pajtohu dhe bashkohu, ose ik edhe ti, se, nuk shtyhet më, me klithma se, më solle në datën aq të vitit kaq. Çfarë kaloi në vitet e kaluara, ishte faqja e zezë e demokratëve, por kjo nuk do të thotë asnjë mundësi për pajtim, për falje të njëri-tjetrit, për bashkim frontal etj. Kush e bën është njeri i fortë, është opozitar, kush nuk e bën ka fatin dhe sojin e tavolinave të kafeneve. Edhe një herë, 8 janari me bomba tymëse, me shkopinjë bejsbolli etj., që vazhdoni dërdëllisni ishte faqja e zezë. Dhe mos mendoni më se i vetmi dëm'dërrmues i demokracisë apo i Shqipërisë është vetëm Edi Rama, jeni edhe ju.
Kush është opozitar duhet ta kuptoj se pa një pajtim a bashkim super të trefishuar, nuk mund të iki nga qeverisja Edi Rama. Në Shqipëri nuk ka më popull, rrezik mosha mesatare gatuhet mes arsimit të mesëm dhe pleqve të vetmuar, fuqia vitale ka ikur prandaj aty ka edhe përsëritje emrash, vegjetim, pasi nuk ekziston as kultura e burrit të fortë, që thotë mjaft më, po tërhiqem. Aktualisht vendi është në një luftë ekzistenciale mes të fortish, por ndryshimi nuk vjen përmes vegjetimit, përmes radiografive që i bëni njëri-tjetrit, por rrotës që lëviz. Shumë nga shqiptarët janë pajtuar me pushtetin e Edi Ramës, shumë të tjerë ia hedhin fajin shoqi-shoqit, studiot apo gazetarët e tyre ia hedhin opozitës, ashtu sikundër edhe disa teoricienë i varin shpresat tek lufta brenda llojit, pra mes Ramës dhe Veliajt.
Shpresojnë kot pasi ndryshe nga demokratët, majtistët nuk hedhin kollaj poshtë njëri-tjetrin, ia ruajnë erzin, i kanë marrëveshjet eterike, pakte e shpejta pasi duan të sundojnë dhe jo të qeverisin. Nevoja për një pakt të madh e të hapur nuk bëhet për ju, për mendjen provinciale, për postin, për një vend, bëhet për Shqipërinë. Madje është koha që edhe Lulit t'i falen mëkatet, jo për Lulin, por për vendin.