“Pronto” e rrëzuar nga pushteti dhe akti i dhunës në Skenderaj!

Opinione

“Pronto” e rrëzuar nga pushteti dhe akti i dhunës në Skenderaj!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 29 janar 2025 Në ora: 12:24
Tubimi i LVV-së, Skenderaj 27 janar

Sulmi kundër kryeministrit Kurti dhe eskortës së tij në Skenderaj është organizuar me regji. Skenari lidhet me grupe të caktuara politike, afariste dhe kriminale, të cilat kanë humbur shpresën dhe arsyen në mbrojtje të pasurisë së paligjshme që ata kanë vënë ose në përpjekje për ta shtuar atë pasuri përmes pushtetit. Është krejt e qartë se organizatorët duan rikthimin e PRONTO-s dhe aleatëve të tij në pushtet. Duan gjithashtu të vijojnë operacionet anti-ligjore e anti-kombëtare të grabitjes së pasurisë së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur në Skenderaj, në kryeqendrën e Drenicës. Autorët mburren me skemën “Ne kemi luftuar kundër policisë dhe ushtrisë serbe dhe nuk po luftojmë kundër Albin Kurtit”! Frymëzimi janë lushtakët, grabovcët dhe thaçistët e kësaj zone e në rajone të tjera të Kosovës. Mbështetja vjen nga organizatat kriminale dhe anti-shtetërore të Kosovës. Ndërkohë që në Beograd mezi presin të përsëriten ngjarje të tilla e mundësisht të ushtrohet dhunë fizike direkt kundër kryeministrit të vendit e jo vetëm kundër eskortës dhe mbështetësve të tij. Një konflikt i brendshëm në Kosovë do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë dhe e Rusisë dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të rivendikuar interesat e tyre në rajonin tonë.

Por ata që organizuan dhe realizuan këtë incident nuk besoj se kanë kapacitete të mendojnë deri në këto detaje. Ndaj dhe ju mungon arsyeja. E kur mungon logjika e arsyeja veprimet nuk janë më racionale. Fatmirësisht ngjarja nuk qe tragjike. Megjithatë çdo përpjekje për ta përsëritur atë nuk dihet se çfarë sjell. Prandaj dhe autoritetet e Kosovës, në veçanti policia dhe gjyqësia, do të duhet të jenë aktiv. Nëse vazhdojnë të tolerohen krimet e politikanëve të PRONTO-s, të cilët kanë blerë një ari (100 m2) tokë të shtetit me 5 -7 euro dhe pas pak javësh ia kanë shitur sërishmi shtetit me 5000 -7000 euro, atëherë Kosova do të vuajë pasojat.

E di se nuk është lehtë as për prokurorinë dhe gjykatën të veprojë me aq vendosmëri sa do të donim të gjithë. Por nëse indiferenca ndaj akteve dhe veprave kriminale rritet, atëherë grupe të tilla marrin kurajë dhe mund të bëhen akoma më të rrezikshme. Radoiçiq u bë i rrezikshëm deri me organizimin e akteve të terrorit, sepse u tolerua pikërisht nga prokuroria e Kosovës. Është në natyrën e çdo keqbërësi që të veprojë më me guxim, nëse ai tolerohet nga segmente të pushtetit politik apo juridik në çdo vend të botës.

Ajo që ndodhi në Skenderaj para disa ditësh është pasojë e indiferencës dhe mosveprimit të gjyqësorit, sidomos prokurorisë, për të goditur krimin e organizuar, veçmas te politika e dështuar dhe e sunduar nga PRONTO. Aq e dukshme është kjo, sa të bën të besosh se pjesë e kësaj organizate kriminale janë edhe disa prokurorë dhe drejtues të tij. Ndryshe nuk ka si të ndodhë që grupe të dhunshme të orkestruara nga politikanë të dhunshëm, si Lushtaku, të kryejnë akte të tilla kundër kreut të ekzekutivit të vendit dhe eskortës së tij.

Bota rreth nesh e përtej nesh nuk duhet të shohë më veprime të tilla, sepse ndryshe ulet inazhi i Kosovës dhe bien kreditet e saj në prestigjin ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për mbështetje. Dhe ajo mund të mbështetet e të simpatizohet vetëm nëse funksionon si shtet i së drejtës, bazuar në principet e demokracie, harmonisë dhe ekuilibrit. Bota e civilizuar kërkon harmoni midis shqiptarëve dhe serbëve e pakicave të tjera. Ndërsa ne u japim atyre pamjen e një populli që luftojmë me veten. Ky është një paradoks i pashpjegueshëm ndër ne. Lufta politike nuk është luftë molotovësh, aq më pak në fushatë elektorale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat