Sorosi në Kosovë, ndryshe nga Sorosi në Shqipëri!

Opinione

Sorosi në Kosovë, ndryshe nga Sorosi në Shqipëri!

Prof.Dr. Enver Bytyçi Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi Më 1 shkurt 2025 Në ora: 14:04
Aleks Soros

Jo pak politikanë në Kosovë kanë marrë shpesh herë kujdestarinë e Sorosit. Një fotografi e para disa viteve na paraqet disa prej tyre, sidomos nga radhët e Lidhjes Demokratike krah Aleks Sorosit. Ndërsa kryeministri Kurti është takuar disa herë me të. Nëse do të shihnim fotografitë, do të thuhej se partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK kanë më pak kontakte me manjatin miliardier me origjinë hungareze. Megjithatë ish-kryeministri dhe ish-presidenti Thaçi e kishte të pranishëm Aleksandër Sorosin thuajse në të gjitha takimet që ai bënte me Vuçiq, me temë ndarjen e Kosovës.

Por asnjëherë nuk kam vënë re se axhenda Soros ndiqet me përkushtim në Kosovë. Mesa duket politikanët e Kosovës janë pragmatistë me çdo segment amerikan për shkaqe, të cilat tashmë secili i di ose mund t’i arsyetojë. Lidhjet e politikanëve të Kosovës me organizatën e Sorosit duket se janë lidhje që kanë në themel interesin kombëtar të vendit, përveçse në rastin e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Që do të thotë se tek një marrëdhënie e tillë ata kanë parë një mundësi më shumë për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos me administratën e Partisë Demokratike Amerikane, sidomos atë Obama-Biden.

Në fakt pritjet e Kosovës ndaj administratës Biden ishin shumë të mëdha. Aq sa Albin Kurti mori pozicion pro tij në fushatën elektorale të vitit 2020, duke lëndur palën tjetër të Trump. Këtë fakt në Kosovë e kanë amplifikuar si anti-amerikanizëm të Albin Kurtit, ndërkohë që deklaratën e Edi Ramës në CNN amerikan se “Donald Trump përfaqëson turpin e civilizimit në botë”, këta që akuzuan Kurtin as që e përmendin fare. E konsiderojnë si deklaratë “normale”! Kurti kishte një arsye madhore të mbante anë: - Njerëzit e Trump dhe të Hashim Thaçit, së bashku me Agim Velinë e Isa Mustafën e rrëzuan nga qeverisja, - ndërsa Edi Rama e pati sulmuar zotin Trump për hatër të George Soros. Axhenda Soros në Kosovë nuk kaloi. Dhe kjo ishte një mrekulli. Ndryshe Kosova do të ishte rrokullisur në një lloj humnere, e cila do ta vinte në pikëpyëtje të madhe shtetësinë.

Po në Shqipëri? Në këtë vend Sorosi dhe pushteti i Rama-Veliajt është një binom i pandarë. Pengmarrja këtu është krejt e lexueshme. Ky binom shkuan deri aty sa të trondisin themelet e familjes shqiptare përmes axhendës Soros. Bënë një reformë drejtësie tipike eksperimentale, e cila e ve drejtësinë në shërbimin e Sorosit, Edi Ramës dhe Erion Velisë. Aq e dukshme është kjo, sa kreu u SPAK mori dekoratën e të emruarit të Sorosit në krye të DASH, Antony Blinken. Raporti me Antony Blinken është pasqyra më e mirë e raporteve me Sorosin. Ndërsa Edi Rama dhe Erion Veliaj mbajtën raporte të shkëlqyera me ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Albin Kurti guxoi ta kritikojë “për naivitet” të tij në raport me Kosovën.

Kur Kurti kritikoi qëndrimet e Blinken ndaj Kosovës, në fakt rivendikoi pozicionin e tij ndaj administratës Biden. Kjo ndodhi për shkak se axhenda e Kurtit ishte dhe mbetet Kosova, ndërsa axhenda e Sorosit dhe e Blinken ishte ajo e Beogradit. Megjithatë deklaratën e zotit Kurti e ka kritikuar edhe autori i këtij komenti. Thjesht se e kisha menduar të panevojshme një përplase të tillë me administratën Biden. Duke reflektuar them se Kurti në thelb kishte të drejtë, ndonëse mund ta kursente etiketën “naiv” për Blinken.

E shkrova këtë analizë për të thënë një fakt të pakonstestueshëm: - Ndërsa politikanët e Kosovës me një lloj bashkëpunimi parimor me administratën Biden dhe shtojcën e saj, Soros, mund të shkëputet lehtë nga ndikimet dhe presioni i Sorosit, këtë nuk mund ta bëjë binomi Rama-Veliaj.  Në Kosovë nuk shoh që të kishte marrëdhënie varësie e pengmarrjeje me Soros. Në Shqipëri i gjithë pushteti për 12 vite ishte dhe mbetet në funksion të interesave të Sorosit jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon. Edi Rama dhe Erion Veliaj janë peng i patjetërsueshëm i Sorosit. Janë më pengje se pengjet e Hamasit.  Vjosa Osmani dhe Albin Kurti më rezulton se nuk janë pengje. Thjesht ndërtuan një marrëdhënie pragmatike për interesat e Kosovës. Kurse marrëdhënia Rama-Veliaj me Sorosin është marrëdhënie e interesave personale, marrëdhënie për të ushtruar një pushtet agresiv dhe autoritar me arrogëncën e së majtës sorosiste si tipar. Një pushtet poshtërimi për shqiptarët, me tipar hakmarrjen, urrejtjen dhe intrigën e pabësisë e të ligësisë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat