Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot që të shtyjë regjistrimin e popullsisë për vitin e ardhshëm. Kryeministri Albin Kurti, tha se nga menaxhmenti i ri i ASK-së ka marrë zotimin se ky proces do të kryhet në periudhën prej 5 prillit deri më 17 maj të vitit 2024. Dështimin që regjistrimi i popullsisë të përfundojë gjatë këtij viti, Kurti ia faturoi ish-menaxhmentit të ASK-së.
Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, u miratua edhe Projektligji për letërnjoftimin që do të mundësojë që shtetasit e Kosovës nga lindja deri në moshën 16 vjeçare të pajisen me letërnjoftim. Derisa u morën vendime për shpronësimin e pronave për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë dhe asaj Kijevë-Zahaq. Po ashtu u ndan 5 milionë euro si mbështetje ndaj familjeve me asistencë sociale për blerjen e druve, si dhe 1 milion euro për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive në katër komunat veriore.
Kryeministri Kurti e konsideroi të domosdoshme përfundimin e mirëfilltë të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Kurti: Regjistrimi i popullsisë shtyhet për vitin e ardhshëm
“Gjatë javës së kaluar kam përdorur autorizimin tim ligjor për të ndryshuar menaxhmentin e statistikave të Kosovës si një hap para për të ngritur efikasitetin e procesit. Letra informuese që e kam pranuar nga ushtruesi i ri i detyrës së drejtorit, zotëri Avni Kastrati dëshmon se procesi i regjistrimit nuk është menaxhuar mirë. Por kësaj radhe është shtuar premtimi që gabimet nga e kaluara nuk do të përsëriten dhe se tashmë janë të qarta sa i përket mësimeve që kanë nxjerr. Nisur nga kjo dhe në veçanti për shkak të udhëheqjes së re në ASK, regjistrimi i të shtyhet në periudhën prej 5 prillit deri 17 maj të vitit 2024”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla tha se pajisja me letërnjoftim nga lindja deri në moshën 16-vjeçare nuk është e detyrueshme, por kjo do t’iu mundësojë qytetarëve të kësaj moshe të lëvizin jashtë vendit vetëm me letërnjoftime me ato vende që ka marrëveshje Kosova.
Sveçla: Shtetasit e Kosovës nga lindja deri në moshën 16 vjeçare mund të pajisen me letërnjoftim
“Si risi e këtij projektligji është krijimi i mundësisë që shtetasi i Kosovës nga lindja deri në moshën 16 vjeçare të mund të pajisjet me letërnjoftim por pa qenë i detyruar. Kjo do të iu mundësojë qytetarëve të kësaj moshe të lëvizin jashtë Republikës së Kosovës vetëm me letërnjoftim me ato vende që ka marrëveshje Republika e Kosovës”, tha Sveçla.
Dritën e gjelbër Qeveria ia dha edhe Projektligjit për pronarët përfitues. Sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ky projektligj do të ndihmojë në luftimin e krimeve ekonomike.
Hajdari: Përmes këtij projektligji do të dihet pronari përfitues i fundit
“Përmes krijimit të regjistrimit të pronarit përfitues do të rritet transparenca për pronësinë përfituese si dhe identifikimi i pronarëve përfitues me qëllim që të dekurajohen personat juridik dhe marrëveshjet ligjore potenciale të ardhshme që kanë si qëllim fshehjen e identitetit të përfituesve të fundit dhe kryerjen e veprimtarive të paligjshme në Kosovë”, theksoi Hajdari.
Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për gjendjen civile dhe Projektligjin për rininë.
Zëvendësministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani tha se tani të rinjtë do të kenë më shumë mundësi për të kontribuar në shoqëri.
Osmani: Të rinjtë tanë do të kenë mundësi të kontribuojnë më shumë në shoqëri
“Me këtë projektligj kemi propozuar mekanizma të cilët do të punojnë drejtpërdrejtë me të rinjtë si dhe kemi ri menduar mekanizmat ekzistues të cilat kanë hasur sfida strukturore për shumë vite. Kemi mundësuar që të rinjtë aktiv të kenë mbështetje më të madhe për aktivitetin e tyre dhe që vendimmarrja publike të jetë e përbashkët me ta. Kemi propozuar që për herë të parë të rregullohet puna rinore dhe statusi rinor, si dhe fushveprimtaria e punëtorit rinor si profesionist që punën me dhe për të rinjtë. Përmes këtij projektligji kemi jap mundësi që të rinjtë tanë të jenë më të përgatitur dhe entuziast që të kontribuojnë për shoqërinë tonë”, tha Osmani.
Qeveria miratoi edhe Projektligjin për shpronësimin e pronës së paluajtshme dhe koncept-dokumentin në fushën e hekurudhave.