Sikur Hashim Thaçi të...

Opinione

Sikur Hashim Thaçi të...

Nga: Dibran Demaku Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 14:37
Dibran Demaku

Sa bëri gabim ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili nuk dha dorëheqje nga posti i presidentit të vendin që në ditën dhe në orën që mësoi se ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Gjykata speciale,aq bëri gabim edhe Kuvendi i Kosovës që nuk e shkarkoi atë.Sikur Hashim Thaçi të kishte kurajo civile dhe përgjegjësi ndaj atdheut,do t‘a kishte bërë aktin e lartëpërmendur që atë ditë,e jo të ngulte këmbë si mushka duke shpresuar kot së koti se mbase duke e mbajtur postin e presidentit të vendit,do të kishte trajtim tjetër nga Gjykata në fjalë!

Në të vërtetë po të kishte kurajo civile dhe përgjegjësi politike ndaj vendit të tij,Hashim Thaçi dhe të gjithë ata që ndodheshin rreth do të duhej të mendonin mirë e mirë që nga momenti kur parlamenti europian kishte miratuar rezolutën me përplot akuza kundër shumë kuadrove të UÇK-së.Por,jo.Ne shqiptarët në përgjithësi,dhe jo vetëm Hashim Thaçi,ngulim këmbë si mushka,duke menduar se vetëm ne kemi të drejtë dhe të gjithë të tjerët e kanë gabim?!...

Vite me radhë nëpër media vizive por edhe të shkruara,të vendit ku jetoj,kanë shkruar me tone negative për Hashimin dhe udhëheqjen politike të Kosovës! Kanë shkruar dhe shpeshëherë edhe kanë pyetur:-Si është e mundur që ata që akuzohen nga raporti i Dick Martit,të udhëheqin edhe më tutje me vendin?!

Dhe për këto shkrime e kanë ditur edhe Hashimi dhe këshilltarët e tij,por siç duket shkrimet dhe raportimet televizive i kanë konsideruar vetëm si shpifje!E pra,shumë nga këshilltarët e Hashimit,por edhe Hashimi vetë,për kohë të caktuar kanë jetuar nëpër vende të ndryshme të perëndimit,dhe e dinë se aty mediat,në raport me politikën kanë ndikim të madh.Ato në fillim e senzibilizojnë opinionin,qoftë për të mirë qoftë për të keq,dhe po u bëre protagonist i tyre,qofsh edhe president i vendit,të detyrojnë të dorëhiqesh ose në rastin më të keq të shkarkohesh!

Kur disa vite më parë fotoja e Hashim Thaçit u publikua në faqen e parë të gazetës me tirazhin më të madh në Gjermani në gazetën „Bild“ dhe me mendimin redaksional të gazetës në fjalë se ky person politikisht është i mbaruar,për ne si shqiptar të Kosovës ishte një moment i rëndë.Por,edhe ne si të gjithë shqiptarët thonim se ky ishte vetëm një shkrim i parëndësishëm gazete?!

Sikur Hashim Thaçi të kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të vendit,më herët,në ditën e shpalljes së aktakuzës nuk do ta dëmtonte reputacionin e vendit,as në sy të europianëve,siç e ka dëmtuar duke qëndruar deri në postin e presidentit të vendit deri në ditën e konfirmimit të aktakuzës?!...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat