Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova tha se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti Anton Quni.
Ai fillon bashkëbisedimin duke treguar që në programin e LDK-së është paraparë një bashkëpunim i tillë, duke e favorizuar konceptin “Smart Defence”.
Sipas shpjegimit të deputetit, koncepti "Smart Defence" ka të bëjë me shtetet që ndërtojnë siguri më të madhe me më shumë bashkëpunim, më shumë koherencë dhe me një kosto të përballueshme.
“Në programin qeverisës të LDK-së, për fushën e mbrojtjes është paraparë bashkëpunimi i dy e më shumë shteteve të rajonit me të cilat kemi raporte vëllazërore dhe tradicionale, siç janë Shqipëria dhe Kroacia. Duke i pasur në konsideratë të përbashkëtat në ngritjen e kapaciteteve të sigurisë, e në veçanti ato të mbrojtjes, e kemi favorizuar konceptin "Smart Defence".
"Koncepti "Smart Defence" ka të bëjë me shtetet që ndërtojnë siguri më të madhe me më shumë bashkëpunim, më shumë koherencë dhe me një kosto të përballueshme.
Ndihma reciproke në mes të aleatëve dhe partnerëve në shumë drejtime të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, do të jetë komponenti kryesor i këtij bashkëpunimi”, shpjegoi deputeti.
Më tej, Quni thotë se ky bashkëpunim mund të aplikohet në shumë drejtime në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, duke listuar disa nga fushat më ndikuese.
Duke përmbyllur deklaratën ai thotë që çdo vazhdimësi dhe avancim i bashkëpunimit me shtetet partnere, në veçanti me shtetet që janë anëtare të NATO-së, është më se i domosdoshëm.
“Zhvillimi i kapaciteteve aktuale dhe avancimi i tyre, si dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja nga kërkimi dhe zhvillimi, te prodhimi, prokurimi, mirëmbajtja dhe trajnimi do të jenë po ashtu elemente qenësore të kësaj komponente.
"Smart Defence" është i aplikueshëm lehtë në mes të shteteve partnere rajonale me synime të përbashkëta. Ky bashkëpunim mund të aplikohet në shumë drejtime në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, me theks të veçantë në bashkimin dhe ndarjen e kapaciteteve decizive luftarake; krijimin e sistemit të edukimit dhe arsimimit të përbashkët për trupën e oficerëve (shembull: Baltic Defence College); zbarkimin e përbashkët në operacione të mbështetjes së paqes; bashkëpunimin në fushën e blerjeve dhe prodhimit për pajisje e artikuj tjerë në fushën e mbrojtjes; si dhe bashkimin dhe përdorimin e kapaciteteve të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes kundër fatkeqësive natyrore."
Prandaj, çdo vazhdimësi dhe avancim i bashkëpunimit me shtetet partnere, në veçanti me shtetet që janë anëtare të NATO-së, është më se i domosdoshëm si mundësi për t'u përballur më lehtë kundër çdo sfide të kohës”, përfundoi deputeti Quni për “Bota sot”.