Ne, vizitorët nga Përmeti i luleve shkuam në Rahovec në një ditë të veçantë, në vlerësimin me titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Rahovec dhënë Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri“. Në këtë ditë përkujtohej edhe masakra e Krushës së Madhe e Krushës së Vogël, genocidi serb kundër banorëve civilë, krejt të pafajshëm e të pambrojtur të kësaj treve me traditë të shquar atdhetarie. Me ftesë të kryetarit të komunës të Rahovecit, zotit Smajl Latifi grupi nga Përmeti, përshtatur me rrethanat e kohës së pandemisë nuk i kalonte dhjetë persona: Alma Hoxha kryetare e Bashkisë, Anila Mihali kryetare e Këshillit Bashkiak, Aulona Meshini nënkryetare e Bashkisë, Tomor Kotorri Kryetari i shoqatës atdhetare kulturore mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, Lumo Kolleshi kryetar i Bordit drejtues të shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, Sami Velçani Avokat i Shoqatës, si dhe Kristiana Ibrahimi këshilltare në Bashkinë e Përmetit.
Duke udhëtuar për në Rahovec, për ne që e kishim për herë të parë, kryetari i shoqatës “Vëllezërit Frashëri“, Tomorr Kotorri mik i hershëm i rahovecasve, na shpjegoi se “ai si një amfiteatër natyral me përmasa të stërmëdha, bashkë me rrethinat është një nga qëndrat më të lashta , e cila shtrihet në jugperëndim të Kosovës me pasuri e potenciale historike kulturore e me traditë të spikatur, i dokumentuar në gjysmën e shekullit të XIV, në vitin 1348 si një vendbanim i lashtë antik, arkeologjik, i cili i përket periudhës së hershme iliro-romake”.
“Komuna Rahovec, është një qendër me kulturë dhe traditë sa të lashtë po aq edhe të më voëshme. Me turizëm rekreativ si Kanionet e Luginës së Drinit të Bardhë. Në qendër të qytetit dhe në rrethinat e tij ka monumente historike arkeologjike dhe etnografike të vjetra e të ndërtuara mbi 400 vite më parë. Turizmi kulturor është bazuar kryesisht në trashëgiminë antike, arkeologjike, etnografike si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1791 dhe disa objekte të, si; shtëpi tradicionale, shpella dhe ndërtesa të kulteve fetare, të cilat janë të shekullit XIV dhe të shekullit XVI, si dhe të veçanta për nga rëndësia, janë dhe depot e mëdha të verës, në qendër të qytetit”.
Sapo para nesh u shfaq qyteti, ato ç’na tregoi bashkudhëtari ynë, muarrën përmasa reale, lugina e bukur me një natyrë mahnitëse, me maja alpine e mbuluar me kurorën e vreshtave pa fund duke na dhënë një peizazh të një pamjeje magjepdëse. Mikpritësit, fillimisht Kryetari i Shoqatës “Zëri Dardan” Rahovec, zoti Bekim Kelmendi, më pas kryesuesin e Asamblesë së Kuvendit Komunal Afrim Dino, Qemal Krasniqi etj, bënë gjithçka që ne të ndiheshim sa më mirë, duke na ofruar çiltërsinë e tyre dhe ofruan njëherazi shlodhje në këtë mjedis ku syri të rrokte kudo diçka që dukej jotja. Ndjeheshe si në një shtëpi të ngrohtë, si një familje ku kujdesi i të gjithëve ishim ne, të ardhur nga ana tjetër e kufirit të vendosur nga padrejtësia.
Mbasdite, Kryetari i Komunës Rahovec, zoti Smajl Latifi dhe stafi tij, pritën plot bujari e fisnikëri në ambientet e komunës miqtë përmetarë, ku natyrisht na gostitën me verë e raki të Rahovecit, të njohura në gjithë Kosovën, por edhe më gjerë. Është produkt i tokës kosovare të Rahovecit. Kryetari Smajl Latifi, në fjalën e tij, vlerësoi lart këtë bashkëpunim të frytshëm, këtë respekt të ndërsjelltë e dashuri vëllazërore e atdhetare. Fjalë zemre për miq zemre. Natyrisht këtu e mori fjalën edhe kryetarja e Bashkisë Përmet zonja Alma Hoxha, në fjalën e saj vlerësoi aktivitet të tilla, promovuese të vlerave, të një domosdoshmërie për shtrirjen në gjithë fushat e aspektet e jetës të marrëdhënieve, duke përçuar traditat e kulturën e trevave të tyre bujare, mikpritëse dhe që rezatojnë fisnikëri. Ajo, me modesti, tregoi zellin e amvisave të Përmetit me gliko arre, e veçantë e me shije e aromë karakteristike. Çdo folës në këtë aktivitet solli në këtë ambient të ngrohtë vlera, mundësi të reja bashkëpunimi. Më vonë, kur muzgu po ulej i magjishëm në peizazhin e veçantë rahovecian, të gjithë ulën siparin, duke pritur mëngjesin e nesërm, ceremoninë e dorëzimit të vlerësimit të lartë “Qytetar Nderi” për Kryetarin e shoqatës “Vëllezërit Frashëri“ zotin Tomorr Kotorri. Kështu mikpritësit tashmë kishin një qytetar më shumë, një qytetar nderi ndërsa ne, të ardhurit, një antar dërgate më pak. Na e kishin “përvetësuar” rahovecarët.
Mëngjesi i 26 Marsit ishte tejet i mbushur me diell. Ceremonia ishte sa e thjeshtë aq domethënëse, sepse promovoi bashkëpunimin e dy njësive administrative që nga të dy anët e kufirit, kishin ç’ti jipnin njëra-tjetrës, shpirtin atdhedashës, kulturën e gjerë, fjalën e të madhit Naim Frashëri, filozofinë e dijen tejet të thellë të Samiut e politikën pa kompromis në mbrojtjen e interesave kombëtare të ideologut atdhetar Avdyl Frashërit. Në fjalën e tij përshëndetëse të kryetarit të shoqatës “Vëllezërit Frashëri“ Tomor Kotorri kishte fjalë zemre.
Përveç falënderimeve për komunën e Rahovecit, për kuvendin e saj, për organizimin domethënës ai tha: “Me dëshirën e mirë u kam sjellë aromë nga vendlindja e vëllezërve Frashëri, freskinë e ujit të bredhave të Hotovës dhe shumëllojshmërinë e trëndafilave të qytetit të Përmetit. Dhënia e këtij çmimi është një nder i madh i cili të jep gëzim dhe të fal emocion për këtë çmim dhe vlerësim, por është dhe një nderim për mua, që unë e vlerësoj si nderim që Rahoveci i bën shoqatës “Vëllezërit Frashëri“ dhe mbarë Përmetit historik”.
Ne vlerësuam shumë grupin simpatik të orkestrës së Rahovecit, me djem e vajza të reja, pasionantë e të palodhur si tepër virtuozë. Mbasi u krye me sukses të plotë ky event, u drejtuam për në Krushën e Madhe, aty ku pritej të vinin edhe Kryeministri i sapozgjedhur Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, ish-Kryeministri Ramush Haradinaj si dhe udhëheqës të pushtetit qëndror e vendor të zonës.
Të shkoje në Krushë do të thoshte të “takoje” luftën dhe luftëtarët, ata që derdhën gjakun për lirinë e tokës shqiptare të Kosovës. Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës ishte lufta për liri dhe pavarësi, ishte një luftë, që i hapi faqe të re në historinë e saj të përgjakur. Ishin bijtë e saj që rrokën armët për liri dhe pavarësi, ishin këta të rinj dhe të reja, dhe gjithë populli i Kosovës, që sakrifikuan gjithçka, edhe veten, që Kosova të çlirohej dhe të fitonte Pavarësinë. Dëshmorët ranë në luftë që të mos u grabisnin vatanin e të parëve.
Kur në Krushë të Madhe e në Krushë të Vogël erdhën udhëheqësit e lartë kosovarë, Kryeministri Albin Kurti e Znj Vjosa Osmani, dërgata nga Përmeti mori vëmendjen e duhur e u nderua prej tyre. Të gjithë e ndiemë veten në familjen tonë, në shtëpinë tonë, në dhimbjen e përbashkët. Ashtu pakuptuar kaluan orët. Ne do të na duhej të udhëtonim, mikpritësve të vazhdonin përditësinë e tyre. Ky vlerësim maksimal, kjo ditë përkujtimore sollën mesazhin e tyre në ndërgjegjen e secilit prej nesh, mesazhin e Krushës së Madhe e të Krushës së Vogël, të Kosovës martire, në emër të gjakut të derdhur për liri, të betimit për Atdhe e për Flamur. Binte muzgu me një cipë të hollë mjegulle, gati transparente, kur kaluam kufirin e makinat tona u tretën brenda vjollcës së perëndimit. Atdheu ynë i bukur, në dy shtete ndarë me një tra, që nuk duhet të jetë në sytë tanë, në trupin e tij që i ka falur Zoti. Dy Krushat e makiavelizmi serb si kryqëzatë mesjetare do të mbeten gjatë brenda meje dhe kjo ditë që e ngroh dielli i mikpritjes së Rahovecit. Ndaj u mbusha me një krenari të ligjshme, me një shpresë që mori flatra, me një dhimbje që është betimi për Besë, për Atdhe e për Flamur, për mua e për çdo shqiptar që bukës i thotë “bukë” e ujit i thotë “ujë”. Ne jemi të bindur se Rahoveci dhe Përmeti do ta vijojnë këtë traditë të bukur të miqësisë dhe traditës së lidhjeve dhe bashkëpunimit të shumtë ndërmjet tyre.